Lajme

Kamenica emëron drejtorët e rinj komunalë

Komuna e Kamenicës ka përmbyllur procesin e emërimit të drejtorëve të rinj komunalë. Zyra për Informim në një përgjigje për gazetën Shqip.Com ka bërë të ditur listën e drejtorëve ku gjashtë drejtori do të udhëhiqen nga gratë. 

Burbuqe Leka do të udhëheq me drejtorinë për zhvillim ekonomik, me drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport do të udhëheq Rinë Matoshi kurse Ardita Dërmaku-Shabani do të jetë drejtoreshë e Financave.

Në krye të drejtorisë së administratës në 4 vitet  ardhshme do të jetë Meritë Agaj kurse në drejtorinë e Shëndetësisë është emëruar Eurona Hoda ndërkaq në drejtorinë e Kadastrit është emëruar Diana Kryeziu.

Drejtoria për Shërbime Publike i është besuar Zotrim Kastratit kurse drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim i është besuar Kujtim Kallabës.

Drejtor komunal i arsimit është emëruar Afrim Dervishi i cili me profesion është mësimdhënës kurse në drejtorinë e bujqësisë është emëruar Shpend Morina.

Dhe në drejtorinë për planifikim dhe urbanizëm është caktuar drejtor Uran Berisha.

Në këtë komunë do të bashkëqeverisin Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Faton Jakupi nga subjekti politik i AAK-së në Kamenicë deklaron se ata kishin përfunduar procesin e emërimit të drejtorëve kohë më parë dhe se ishte në dorën e kryetarit të komunës që t’i emëronte zyrtarisht ata.

“Ne kemi kryer punën tonë dhe tani drejtorët komunal janë caktuar. Nuk na ka marr kohë për të vendosur sepse i kemi pasur qysh në fillim të njohura qartë objektivat”, është shprehur ai.

Ndërkaq Aleanca për Kosovën e Re e cila ka përkrahur VV-në në raundin e dytë të balotazhit deklarojnë se do të qëndrojnë në opozitë.

“Nuk kemi qenë të interesuar të jemi pjesë e qeverisjes komunale. Kemi parë të arsyeshme më mirë të japim kontributin tonë në opozitë dhe këtë do ta bëjmë. Brenda komunës nuk kam ndonjë pozitë”, ka thënë Fatmir Matoshi, kryetar i degës së AKR-së në Kamenicë/Shqip.com