PDK shqyrton peticion qytetar kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar se po shqyrtojnë mundësinë e organizimit të një peticioni qytetar kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtim të energjisë elektrike.
Përmes peticionit, Krasniqi thotë se do të tentojnë ta ngrisin vetëdijen e Qeverisë dhe ZRrE-së shtrenjtimi i rrymës është në dëm të qytetarëve.
“PDK po diskuton mundësinë e organizimit të një peticioni qytetar, në mënyrë që tandemi Qeveri-ZRRE ta kuptojë se rritja e çmimeve të energjisë nuk është një betejë politike opozitare përballë një qeverie të paaftë e të papërgjegjshme, por është një kërcënim ndaj qytetarëve të Kosovës që janë në betejë për mbijetesë, e të cilët nuk munden dhe nuk duhet ta bartin mbi supe koston e paaftësisë së qeverisë Kurti”, shkruan Krasniqi në Facebook.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka miratuar tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët.
Ata të cilët shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kilovatë orë në muaj nuk do të preken nga shtrenjtimi i energjisë elektrike. Ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent.
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu në konferencën për shtyp ka deklaruar se me bllok tarifën e vendosur ata të cilët shpenzojnë deri 1 mijë kilovatë energji elektrike do të paguajnë 10 euro më shumë në muaj./Shqip.com