Apeli ia konfirmon aktakuzën deputetit të VV-së
Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani.
Ai akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Ramadani, avokatit Naser Sopjani, e paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me kundërshtimet dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
I kontaktuar nga Shqip.com, avokati Sopjani tha se nuk është njoftuar ende me vendimin e Apelit.
“Nuk jam në dijeni që është konfirmuar aktakuza”, tha shkurtimisht ai.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 13 korrik, deputeti Valon Ramadani është deklaruar i pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohet.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Valon Ramadanit, me arsyetimin se ka kryer dy vepra penale dhe atë “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 të KPRK-së si dhe për “pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 të KPRK-së.
Sipas aktit akuzues, më 21 mars 2018, në Prishtinë, saktësisht në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i akuzuari Ramadani, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka përdorur armë, në atë mënyrë që ka ndezur dhe ka hedhur një bombolë të gazit lotsjellës gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme.
Në aktin akuzues thuhet se në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur, i akuzuari Ramadani ka penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ka përdorur gazin lotsjellës dhe janë ndërprerë punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të RKS-së./SHQIP.com