Lajme

Abdixhiku: Reagimi i vonshëm i Qeverisë për rrymën tregon frikë të pushtetit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në foltoren e Kuvendit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi të hënën se refuzimi i Qeverisë për të diskutuar për shtrenjtimin e rrymës, tregon “frikë të pashpjegueshme të pushtetit për t’u përballur me të vërtetën”.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po debatohet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, Abdixhiku tha se krizë energjetike ka edhe në rajon, por që sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur rritje të çmimit si në Kosovë.

Mes tjerash, theksoi se kosovarët nuk e shpenzojnë energjinë elektrike për luks, pasi sipas tij, për dallim nga ata në veri, sipas tij, kosovarët e shpenzojnë aq sa kanë nevojë dhe e paguajnë atë.

Po ashtu, pohoi se Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për situatën e krijuar në vend, duke shtuar se shtetet e tjera në rajon, me çështjen e energjisë elektrike janë marrë që nga tetori i 2021-s.

“Tani mohimi i krizës kur shtetet e tjera bënin zgjidhje, shkakton dëm. Nga 150 milionë euro deri në 200 milionë, kjo është shumë që shoqëria kosovare do të djegë sivjet energji. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi edhe për 1 euro të shpenzuara, lëre më për më shumë”.

“Dëmi është bërë dhe a mund qytetari ta paguajë atë. Pyetja se a mund të përballohet ky çmim, nuk zë vend më. Vend zë se ku t’i gjej paratë shteti. Flitet nga perspektiva e karriges së pushtetit, si brengë e kryeministrit. Pyetjet se ku i merr paratë shteti është dashur kryeministri t’ia bëjë vetes në tetor”, tha i pari i LDK-së./SHQIP.com