Lajme

Osmani u premton shqiptarëve të Luginës: Do të përpiqem që zëri juaj të dëgjohet

Presidentja Osmani priti në takim një delegacion të Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës

“E keni mbështetjen time dhe ju siguroj se do të përpiqem që zëri juaj të dëgjohet”.

Kështu ka deklaruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila të martën ka pritur në takim një delegacion të Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, të përbërë nga Ragmi Mustafi, Lirona Zuka dhe Alban Alili.

“Qytetarët e Luginës së Preshevës janë brengë e jona e përhershme, dhe do të ndërmarrim çdo veprim të mundshëm për t`i ndihmuar sa më shumë”, ka vazhduar Osmani.

Ka rikonfirmuar se problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të vazhdojë t’i ngrisë në instancat më të larta ndërkombëtare.

Në takim me këtë delegacion, Osmani gjithashtu ka shprehur gatishmëri për ta mbështetur Këshillin Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës.

“Ajo ka bërë të ditur se në vazhdimësi angazhohet për promovimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc dhe ka adresuar problemet me të cilat ballafaqohen këta qytetarë, siç janë pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave nga Serbia dhe problemet e vazhdueshme me punësimin”, thuhet në njoftimin për media të Presidencës./SHQIP.com