Suspendohet nga puna u.d i drejtorit të Spitalit në Ferizaj
Halit Gërbeshi, ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, është suspenduar nga puna për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Lajmin e ka bërë të ditur të premten Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
Gërbeshit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh nga Prokuroria Themelore në Ferizaj pasi ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke e furnizuar veturën e tij private me derivate të naftës në kuadër të tenderit të paraparë për Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës informon opinionin se pas njoftimit për ndalimin e Dr. Halit Gërbeshit U.D. Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj prej 48 orësh nga Prokuria Themelore e Ferizajt, i njëjti është larguar përkohësisht nga puna, konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin për media të ShSKUK-së.-
Siç bëhet e ditur, detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të Spitalit në Ferizaj do t’i kryejë drejtori mjekësor i spitalit./SHQIP.com