Lajme

Këshilltari i Kurtit i reagon ambasadorit gjerman për kërkesën e votimit të serbëve nga Kosova në referendum

Jeton Zulfaj dhe Albin Kurti.

Jeton Zulfaj, këshilltari politik i kryeministrit, Albin Kurti, tha se praktikat e mëhershme kanë qenë të këqija  ku strukturat e huaja ilegale janë lejuar të operojnë në Kosovë, përcjell Shqip.com.

Kështu ai i ka reaguar ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka shpërndarë qëndrimin dhe kërkesën e Shteve të QUINT-it ndaj Qeverisë së Kosovës për lejimin e votimit të serbëve nga Kosova në referendumin e Serbisë.

Lexo edhe:
Ambasadorët e Shteteve të QUINT-it pritet të takojnë Kurtin, Osmanin dhe Konjufcën

Përmes një postimi në Twitter, Zulfaj deklaroi se të gjithë serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë ose përmes postës.

“ ’Praktika e vendosur’ ishte një praktikë e keqe ku strukturat e huaja ilegale janë lejuar që të operojnë lirshëm në vendin tonë. Të gjithë serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë ose përmes postës. Ju të gjithë e mbështetni sundimin e ligjit në Kosovë”, ka shkruar Zulfaj.

Ndërkaq, lidhur me këtë, Ambasadorët e QUINT-it kanë shkuar në takim me kryeministrin Kurti, presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Ndryshe, të premten Shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje për referendumin e 16 janarit në Serbi.

Përmes një komunikate, thuhet se ato mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë për ndryshimet kushtetuese duke vlerësuar si hap kyç për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Lexo edhe:
Zv.ministri i Jashtëm për votimin e serbëve në referendum: Serbia po synon legjitimimin e destabilizimit të veriut

“Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka dalur haptazi pro votimit të serbëve të Kosovës në referendumin e Serbisë, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Twitter, Borrell tregoi se ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Mbrëmjen e së mërkurës, Kurti tha se në bisedën e zhvilluar me Borrellin, e ka kundërshtuar këtë, duke theksuar se një praktikë e tillë nuk zbatohet në asnjë vend demokratik.

“Në telefon me Borrellin, ripërsërita qëndrimin tonë se serbët e Kosovës me dyshtetësi mund të votojnë në referendum me postë apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. “Mbajtja e referendumit të një shteti tjetër në territorin e një shteti sovran nuk është praktikë e pranueshme nga ndonjë vend demokratik”, kishte shkruar Kurti./SHQIP.com