Lajme

Ambasadorët e Shteteve të QUINT-it pritet të takojnë Kurtin, Osmanin dhe Konjufcën

Ambasadorët e QUINTI-t para ndërtesës së Qeverisë.

Amabasadorët e Shteteve të QUINT-it pritet që të takojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, përcjell Shqip.com.

Ky takim raportohet se ka ardhur pas kërkesës së shteteve ndaj Qeverisë së Kosovës për lejimin e serbëve nga Kosova që të votojnë në referendumin në Serbi.

Lexo edhe:
Shtetet e QUINT-it kërkojnë nga Qeveria lejimin e votimit të serbëve nga Kosova në referendumin e Serbisë

Ndryshe, të premten Shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje për referendumin e 16 janarit në Serbi, përcjell Shqip.com.

Përmes një komunikate, thuhet se ato mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë për ndryshimet kushtetuese duke vlerësuar si hap kyç për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.

“Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka dalur haptazi pro votimit të serbëve të Kosovës në referendumin e Serbisë, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Twitter, Borrell tregoi se ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Mbrëmjen e së mërkurës, Kurti tha se në bisedën e zhvilluar me Borrellin, e ka kundërshtuar këtë, duke theksuar se një praktikë e tillë nuk zbatohet në asnjë vend demokratik.

“Në telefon me Borrellin, ripërsërita qëndrimin tonë se serbët e Kosovës me dyshtetësi mund të votojnë në referendum me postë apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. “Mbajtja e referendumit të një shteti tjetër në territorin e një shteti sovran nuk është praktikë e pranueshme nga ndonjë vend demokratik”, kishte shkruar Kurti./SHQIP.com