Haradinaj: Kosova si Venezuela, Kurti si Chavez-i
Dikur bënin opozitën bashkë, por prejse Vetëvendosje është partia që ka formuar qeverinë, Ramush Haradinaj nuk i ka ndalur kritikat për Albin Kurtin. Edhe Kurti më shumë se me gjithë të tjerët ka replikuar me Haradinajn.
Për Ramush Haradinajn, ish kryeministër i Kosovës, dështimet e pasardhësit të tij Albin Kurti janë të qëllimshme, sepse ai “po tenton që Kosovën ta shndërrojë në Venezuelë”.
Haradinaj thotë se qeveria e Kurtit bën “politika majtiste ekstreme”, prandaj edhe po do që “ta ngjallë sentimentin anti-amerikan”, derisa vetë Kurti “po shkon rrugës së (Hugo) Chavez-it”.
Kryetari i AAK-së, në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka pyetur Kurtin se a ka ai ndonjë koment edhe për numrin jashtëzakonisht të lartë të qytetarëve në Kosovë që kërkuan viza pune për në Gjermani vetëm gjatë një muaji.
“A ka kryeministri ndonjë koment? 56000 qytetarë të Kosovës për një muaj kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendi, vetëm në njërën nga ambasadat. Përse kjo heshtje? A nuk ishit ju qeveria e shpresës? Përse kaq shumë qytetarë ia mësyjnë ta lëshojnë vendin?”, shkruan Haradinaj.
Më pas, në mungesë të përgjigjes, Haradinaj ka dhënë një vetë.
“Ata duan të ikin sepse qeveria nuk po tregon aftësi për ringjalljen ekonomike, përkundrazi, po e fundosë dita ditës edhe më shumë ekonominë edhe ashtu në krizë”, shkruan ai.
“Qeveria e këtij Kryeministri, me politika të majta ekstreme, frikësoi kapitalin vendor duke e nxjerrë jashtë dhe duke u ulur shuma e investimeve. Ajo përpos se nuk e përkrahu, krijoi armiqësi me sektorin privat”.
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj, para selise se AAK-se, sa ishin te dy ne opozite
Haradinaj ka përmendur edhe krizën e fundit energjetike, derisa ka akuzuar Kurtin se la Kosovën jashtë një projekti të madh energjetik, kur refuzoi të përfshihet në kërkesën për gazin amerikan.
Prejse Lëvizja Vetëvendosje ka formuar qeverinë, Haradinaj ka qenë një nga kritikuesit më të zëshëm. Edhe vetë Kurti më së shumti ka replikuar me Haradinajn.
Ai ia pati përmendur edhe një tokë të privatizuar nga Haradinaj, e cila e kishte vlerën shumë më të madhe sesa Haradinaj pagoi.
Ndërsa kërkesat e kosovarëve për viza pune në Gjermani nuk kanë filluar këtë vit, ato vazhdojnë të jenë në shifra të njëjta, prejse shteti gjerman kishte shpallur nevojën për punëtorë nga jashtë dhe mundësuar aplikimin.
Kishte një ndalje në periudhën kur filloi pandemia dhe u bllokua lëvizja e njerëzve, por trendi aktual përcjellë atë para-pandemik./Shqip.com