Lajme

Sot mbahet protesta e thirrur nga Berisha në Tiranë

Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Të shtunën duke filluar nga ora 12:00 para selisë së Partisë Demokratike në Tiranë do të mbahet protesta e thirrur nga ish-kryeministri, Sali Berisha, përcjell Shqip.com.

Kjo protestë e thirrur nga Berisha do të organizohet për shkarkimin e krytetarit aktual të PD-së, Lulzim Basha.

Berisha kishte paralajmëruar këtë protestë disa javë më parë, duke deklaruar se 8 janari do të jetë protestë e fuqishme kombëtare ku 44 mijë anëtarë të PD-së që firmosën, do të bëjnë historinë dhe do marrin në dorëzim ndërtesën e PD-së.

“Vendimi s’ka apelim. Do vijnë në Tiranë te selia për të shpëtuar pluralizmin. Vetëm Edi Rama e mban”, ishte shprehur Berisha.

Ndërkaq, ish-kreu dhe komisioni i rithemelimit të PD-së e kishin lënë datën 5 janar si afatin e fundit ndaj kryedemokratit Lulzim Basha që të dorëzojë detyrën.

Kurse, PD kishte reaguar menjëherë pas publikimit të datës së protestës nga Berisha, duke thënë se “kasafortizimi dhe bunkerizmi” nuk janë metoda të kësaj partie, por “të celulave ilegale që të vetmin merak kanë karriget dhe zyrat e tyre”./SHQIP.com