Lajme

Kryetari i PDK-së: Varrimi i nënës së Kadri Veselit bëhet më i vështirë me mungesën e tij

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Në këtë moment kjo vdekje dhe ky varrim bëhet më i vështirë për faktin se as këtë herë, siç ndodhi para gjashtë muajsh me babanë e tij, nuk ishte në mesin tonë miku ynë, kryetari Kadri Veseli”.

Kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas vdekjes së nënës së ish-kreut të këtij subjekti politik, Kadri Veseli, përcjell Shqip.com.

Lexo edhe:
Nga Specialja tregojnë se a do të lirohet Kadri Veseli për të marrë pjesë në varrimin e nënës

Krasniqi tha se mungesa e Veselit e bën më të dhimbshëm këtë rast, por që shpresojnë që kjo betejë që po përballet ai “do ta vulosë drejtësinë e luftës çlirimtare të Kosovës”.

“Na vjen keq për rastin e sotëm, humbjen e nënës Ajshe. Ka qenë një zonjë dhe një grua e fortë e bujare, e cila ka reflektuar atë madhështinë, të cilën jemi mësuar ta shohim te nënat. Në këtë moment kjo vdekje dhe ky varrim bëhet më i vështirë për faktin se as këtë herë, siç ndodhi para gjashtë muajsh me babanë e tij, nuk ishte në mesin tonë miku ynë, kryetari Kadri Veseli.

Kjo e bën edhe më të dhimbshëm këtë rast, por gjithsesi ne shpresojmë që edhe kjo betejë e fundit dhe tepër e rëndësishme, me të cilën po ballafaqohet ai dhe bashkëluftëtarët e tij, është çmim i lartë, por që do ta vulosë drejtësinë e luftës çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, zëdhënësja për media e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, ka deklaruar se ish-kryeparlamentari Kadri Veseli mund të lirohet nga paraburgimi në Hagë për varrimin e nënës së tij, Ajshe Veseli.

Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Online Shqip.com, ajo ka thënë se Paneli përgjegjës do të vendosë për kërkesën që Veseli të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit, por nuk ka treguar nëse një kërkesë e tillë është bërë nga ish-kryetari i PDK-së.

“Kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon personat e ndaluar të bëjnë kërkesa tek Paneli kompetent kur ka arsye bindëse humanitare”, thuhet në përgjigjen e Griep.

Në anën tjetër, familjarët e Veselit kanë thënë për Shqip.com se tashmë kërkesën e kanë adresuar tek avokatët dhe po presin konfirmimin e tyre për përfundimin e procedurave.

Ajshe Veseli, nëna e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka vdekur të premten e 7 janarit, në moshën 93-vjeçare./SHQIP.com