Nga Specialja tregojnë se a do të lirohet Kadri Veseli për të marrë pjesë në varrimin e nënës

Zëdhënësja për media e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, ka deklaruar se ish-kryeparlamentari Kadri Veseli mund të lirohet nga paraburgimi në Hagë për varrimin e nënës së tij, Ajshe Veseli.
Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Online Shqip.com, ajo ka thënë se Paneli përgjegjës do të vendosë për kërkesën që Veseli të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit, por nuk ka treguar nëse një kërkesë e tillë është bërë nga ish-kryetari i PDK-së.
“Kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon personat e ndaluar të bëjnë kërkesa tek Paneli kompetent kur ka arsye bindëse humanitare”, thuhet në përgjigjen e Griep.
Në anën tjetër, familjarët e Veselit kanë thënë për Shqip.com se tashmë kërkesën e kanë adresuar tek avokatët dhe po presin konfirmimin e tyre për përfundimin e procedurave.
Ajshe Veseli, nëna e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka vdekur të premten e 7 janarit, në moshën 93-vjeçare.
Ajo do të varroset këtë të premte, në orën 14:30, në fshatin Broboniq të Mitrovicës./SHQIP.com