Lajme

Policia për Shqip.com: I dyshuari për vrasjen në Skënderaj është liruar një javë më parë në procedurë të rregullt

Shiriti i policisë
Shiriti i policisë

51-vjeçari që dyshohet se vrau bashkëshorten e tij të mërkurën në fshatin Llaushë të Skënderajt, është arrestuar rreth një javë më parë nga Policia e Kosovës.

Në një prononcim për Shqip.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha se i dyshuari është arrestuar për dhunë në familje.

Sipas Zahitit, pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar pasi që nuk ka pasur elemente për ndalimin e tij.

“I dyshuari ka qenë vetëm një herë në Policinë e Kosovës për një vepër penale. Rasti ka qenë vetëm për dhunë në familje. Është liruar në procedurë të rregullt pasi që është liruar nga prokurori sepse nuk ka pasur elemente për ndalim të tij policor”, tha Zahiti.

Ndërkaq, vëllau i të dyshuarit, të enjten ka deklaruar se para disa ditësh, rasti ishte i paraqitur në Polici ku i dyshuari së bashku me viktimën dhe fëmijët e tyre – kanë qenë në stacion policor.

Ai tregoi se vëllau i tij, kishte probleme psikike duke thënë se “është paradoks i rrallë se si ai mund të lirohet nga Policia”.

“Katër apo pesë ditë para se me ndodh rasti, policia e ka liru vëllaun tim. Vëllau im ka pasur probleme psiqike dhe është paradoks si lirohet një person i tillë. Pas është kthy në shtëpi ai e ka vrarë grun e tij. Gruaja e tij ka qenë një grua shembullore. Vëllai im edhe më herët ka pas probleme edhe kriza nervore kohë pas kohe. Jam i befasuar si Policia e liron një person që ka tentu të vras bashkëshorten e tij disa here.

Lajmin e  kemi marrë shumë të vështirë dhe shumë vështirë e kemi besuar. Nuk kemi besu se e bënë vëllai im atë. Vëllai im ka qenë një njeri i papunë, tre fëmijë, skamje dhe kohëve të fundit ka pasur edhe kriza. Fëmija e vet me shoqen e kanë lajmëruar policinë. Ata kanë shkuar atje dhe Policia i kanë mbajtur për pesë orë. Është fjala për dy tri ditë më herët. Në fund i kanë lëshuar të gjithë së bashku. Unë jam habitur me atë veprim të policisë, me e lëshu njeriun që ka tentu me mbytë bashkëshorten e tij dy-tri herë”, ka thënë vëllai i dorasit për arbresh.info./SHQIP.com