Lajme

Kurti: LVV mori mbështetje për shkak të dëshpërimit të qytetarëve ndaj ish-qeverive

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet gjatë këtij viti për shkak të “dëshpërimit” të qytetarëve ndaj qeverive të kaluara, përcjell Shqip.com.

Në fjalën e tij hyrëse të mbledhjes së Qeverisë, Kurti deklaroi se mbështetja që kanë marrë në zgjedhjet e fundit është “historike”.

“Secili vit i ka sfidat e tij ky vit sikurse edhe ai i kaluari u mbizotërua nga pandemia dhe pasojat e saj. Mobilizimi i jashtëzakonshëm i qytetarëve për të na dhënë mbështetjen historike është dëshmi se sa i madh ka qenë dëshpërimi ndaj atyre që kanë udhëhequr”, tha Kurti.

Tutje, ai ka folur edhe për situatën e rënduar gjatë këtij viti sa i përket pandemisë “COVID-19” ku u ka shprehur ngushëllime të gjithë familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre si dhe atyre që janë prekur nga ky virus.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet më 14 shkurt të këtij, duke marrë më shumë se 50 për qind të votave./SHQIP.com