Deputetja e LDK-së: Kosova mund të marrë pjesë në ‘Open Balkan’ pas njohjes nga Serbia

“Kosova mund të marrë pjesë në ‘Open Balkan’ vetëm pas njohjes së pavarësisë së saj nga Serbia”.
Kështu ka deklaruar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, e cila po e konsideron të drejtë mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë iniciativë.

Sipas saj, qëndrimi i LDK-së është se fillimisht duhet të ndodhë njohja, e më pastaj bashkëpunimi i mes nismave të tilla.
“’Open Ballkan’, do të njihet atëherë kur do t’i paraprihet me njohje politike secilit ndaj secilit, këtë rast Serbia nuk e njeh Kosovën. Qëndrimi i LDK-së është njohja para bashkëpunimit pa kufi”, ka thënë ajo për EO.
Tutje, Krasniqi kritikoi edhe qëndrimin e Shqipërisë ndaj kësaj iniciative duke thënë se për 30 vjet, asnjëherë nuk kanë pasur qëndrime të kundërta me Kosovën.
“Për herë të parë në 30 e sa vite bashkëpunimi përballë Serbisë, Kosova dhe Shqipëria kanë qëndrime të kundërta, pra nuk e kanë një qëndrim dhe një mendim. Kosova duhet të përfshihet në bashkëpunime rajonale, atëherë kur njihet si shtet i barabartë, shtet sovran, i njohur ndërkombëtarisht.
Çdo nismë tjetër atëherë do t’i dëmtojë raportet tona nacionale dhe të gjitha raportet tjera të shqiptarëve në rajon”, ka thënë ajo./SHQIP.com