Lajme

Deputeti i PDK-së i blen Kurtit batanije dhe ia dërgon në Kuvend

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka publikuar të premten një fotografi në llogarinë e tij në Facebook, në të cilën është shfaqur në Kuvend me një batanije.

Atë ka thënë se ia ka blerë kryeministrit të vendit, Albin Kurti, në një “Baby Shop”.

“Miq, unë sot ja bleva Kurtit këtë batanije në “BABY SHOP” me ja jep në parlament, por më shkoj huq se PSD paska investuar më shumë se unë dhe ja paska vendos para Qeverisë disa batanije me dimensione shumë më të mëdha se e imja…”.

“Nejse, me rëndësi është me pas me çka me u nxe ky djaloshi (Kurti)”, ka shkruar Kastrati në postimin e tij.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media të mbajtur më 15 dhjetor, kishte thënë “unë për vete mbrëmë u ngroha me batanije”.

Këtë përgjigje Kurti ia kishte dhënë gazetarëve të cilët e patën pyetur me çfarë po ngrohet, meqë qytetarëve po u bën thirrje të mos ngrohen me rrymë për shkak të krizës energjetike.

PSD vendos katër batanije në vend të flamujve në ndërtesën e Qeverisë

Aksioni i PSD-së

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion të premten para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke vendosur batanije në vend të flamujve.

Aktivistët e kësaj partie, pas reduktimeve të energjisë elektrike në Kosovë, kanë vendosur batanijet si një mesazh për Qeverinë.

Zëdhënësja e Partisë Social Demokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka deklaruar se batanijet e vendosura janë simbol i dorëzimit të Qeverisë Kurti përballë problemeve energjetike.

“Kemi një kryeministër që na udhëzon se mënyra e të mbrojturit nga të ftohti është qebja. Kemi një ministre që ia hedh fajin te njerëzit që po e përdorin rrymën për komoditet”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, për krizën energjetike në vend dhe reduktimet e rrymës, PSD ka zhvilluar të enjten edhe një aksion tjetër te ndërtesa e KEDS-it.

Aty, aktivistët kanë vendosur një “çek” 20 milionësh që Qeveria ka ndarë për subvencionimin e rrymës, si dhe kanë hedhur thasë me “para”./SHQIP.com