Arrestohet një serb në Leposaviq, iu gjet kokainë në banesën e tij

Një shtetas serb është arrestuar të martën në Leshak të Leposaviqit, për posedim të substancave narkotike, përcjell Shqip.com.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, te i dyshuari janë konfiskuar katër paketime me substancë që dyshohet se është kokainë me peshë një mijë e 287 gramë.

“Zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, Njësia Mitrovicë Veri, pas pranimit të një informate në rrugë operative, se një i dyshuar posedon substanca narkotike, hetuesit policor kanë filluar veprimet në gjetjen, lokalizimin dhe identifikimin e personit të dyshuar.
Hetuesit policorë kanë arritur të lokalizojnë vendbanimin e të dyshuarit në Leshak të Leposavicit. Më pas policia ka kërkuar nga organet e drejtësisë urdhër për kontroll të banesës, pas pranimit të urdhrit policia ka kontrolluar banesën e të dyshuarit”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Po ashtu, gjatë kontrollit të banesës së të dyshuarit, janë sekuestruar një mijë e 200 euro, 12 mijë dinarë të Serbisë dhe dy telefona.
“Ndaj të dyshuarit M.V., (viti i lindjes 1986, me shtetësi të Serbisë dhe Holandës), iniciohet rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe pas intervistimit nga hetuesit policorë, në prezencë të avokatit, me aktvendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë. Hetimet e rastit vazhdohen të hetohen nga Njësia e DHTN-së Mitrovicë Veri”, njofton tutje Policia./SHQIP.com