Policia arreston tre persona në aeroportin “Adem Jashari”, dyshohen për falsifikim të dokumenteve
Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohen për falsifikim të dokumenteve zyrtare, përfshirë leje qëndrim, vizë dhe pasaportë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në tri raste të ndryshme janë hasur këta persona gjatë verifikimit dhe kontrollimit të dokumenteve, përcjell Shqip.com.



“Dje, më datë 21.12.2021, rreth orës 19:00, Policia e Kosovës, konkretisht autoritetet policore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ANP “Adem Jashari” gjatë kontrollit dhe verifikimit të dokumenteve për kalimin e kufirit, respektivisht për udhëtim jashtë Republikës së Kosovës, në tri raste kanë hasur në tre (3) persona të dyshuar, të cilët nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve (leje qëndrim, vizë dhe pasaportë) janë ndaluar dhe arrestuar nga autoritetet kufitare kosovare”, thuhet në njoftim.
Lidhur me çështjen me urdhër të prokurorit janë iniciuar rastet dhe personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme hetimore. ./Shqip.com