Lajme Ballkan

Petkoviq për aksionin në Shtërpcë: Përpjekje për t’i frikësuar serbët

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, thotë se aksioni i Policisë së Kosovës i zhvilluar të martën në Shtërpcë është “tentativë tjetër për t’i frikësuar serbët”.

Dhjetë persona janë arrestuar të martën në Shtërpcë gjatë aksionit të Policisë së Kosovës për ndërtime pa leje.

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se ndër të arrestuarit është edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtarë tjerë dhe pronarë të firmave.

E sipas Petkoviqit, ky aksion është “terror i ri” nga kryeministri Albin Kurti, shkruan N1, transmeton Shqip.com.

“Nën maskën dhe nën pretekstin e një lloj lufte kundër korrupsionit, Kurti po dërgon sërish forcat speciale me pajisje të plota luftarake, në mjediset serbe, me qëllimin e vetëm kriminalizimin e serbëve që mbetën mburojë për mbrojtjen e interesave tona kombëtare”. 

“Kurti sikur nuk e sheh korrupsionin dhe krimin në radhët e tij, kur të gjithë faktorët ndërkombëtarë e dinë se të gjitha flukset e parave të pista kalojnë nëpër komunitetet shqiptare”, tha Petkoviq në një deklaratë për media.

Sipas tij, Shtërpca është një objektiv i dukshëm sepse “përfaqëson një bastion të fortë serb dhe pikën më jugore të mbijetesës serbe në Kosovë”.

“Ky veprim nuk është i rastësishëm, sot, kur presidenti Aleksandar Vuçiq do të nënshkruajë gjashtë marrëveshje të rëndësishme në kuadër të nismës ‘Ballkani i Hapur’, si një hap drejt një të ardhmeje më të mirë dhe padyshim që është i koordinuar me tërbimin e mbrëmshëm të ekstremistëve dhe djegien e flamujve serbë në Tiranë”, u shpreh ai./SHQIP.com