ZRRE-ja pranon të shqyrtojë tarifat e rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji njoftoi të hënën se ka pranuar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesi Universal për Energji Elektrike (KESCO) kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.
Ky vendim, sipas ZRRE-së, është marrë për të reflektuar çmimet e ngritura të importit si pasojë e krizës globale të çmimeve të energjisë.
“ZRRE në bazë të mandatit të saj ligjor, ka vendosur të hapë procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm, dhe gjatë këtij procesi do të shqyrtojë aplikacionet e të licencuarve, duke vlerësuar nevojën për vazhdim të furnizimit me energji elektrike, rritjen e efiçiencës së konsumit dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve”, thuhet në komunikatën për media.
Bëhet e ditur gjithashtu se muajve të fundit, përveç rritjes së çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike, vërehet edhe një rritje enorme e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë.
ZRRE-ja thotë se kjo rezulton në rritjen e nevojës për blerje të energjisë me shumicë për mbulimin e konsumit dhe nevojat e rrjetit.
“Duke qenë se prodhimi vendor nuk mund të plotësojë të gjithë kërkesën për energji elektrike, paraqitet nevoja për import, që do të tejkalojë sasitë e lejuara nga ZRRE gjatë shqyrtimit të rregullt tarifor”.
“Importi shtesë paraqet edhe kosto shtesë për operatorët, të cilat nuk janë parashikuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin relevant tarifor 2021”.
ZRRE në kuadër të këtij procesi njofton se do të bëjë analiza dhe kalkulime të bazuara në të dhënat e disponueshme dhe do të analizojë të gjitha rrethanat e krijuara në sektorin e energjisë në lidhje me kostot e sistemit si dhe në lidhje me menaxhimin e sigurisë së furnizimit.
“Paralelisht do të analizohet edhe mundësia e rishikimit të strukturës së tarifave me pakicë të energjisë elektrike, ku do të shihet mundësia e aplikimit të mekanizmave tjerë për përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe të menaxhimit të kërkesës”.
“ZRRE do të sigurohet që shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave të i nënshtrohet konsultimit me konsumatorët, kompanitë e licencuara, qeverinë dhe palët e tjera të interesit për të siguruar gjithpërfshirje, transparencë dhe mbrojtje të interesave të konsumatorëve”.
Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendi të hënën, ka thënë se Qeveria po punon në gjetjen e një zgjidhje sa më të mirë në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm dhe të zbutet kriza energjetike.
“Në mbledhjen e fundit të Qeverisë e kemi adresuar krizën energjetike që na ka trokitur në derë, por ne jemi të fundit që po na kaplon kriza. Vendet e rajonit ka kohë që e kanë këtë krizë”.
“Është e vërtetë që po blejmë shtrenjtë energji e po shesim lirë. Rrjeti i shpërndarjes e stabilimentet prodhuese në Kosovë janë vjetëruar e amortizuar, e konsumi i energjisë është rritur”, është shprehur Kurti./SHQIP.com
