Sali Berisha: Lulzim Basha tani është thjesht deputet

Ish-lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës që e mbajti në selinë e partisë, ka deklaruar se Lulzim Basha tashmë është vetëm deputet dhe anëtar i grupit parlamentar i kësaj partie.
Sipas Berishës, kjo konferencë është më e veçanta nga të gjitha konferencat gjatë përvojës së tij politike 30-vjeçare.
“Nga të gjitha konferencat e shtypit të karrierës time 30 vjeçare ju garantoj se kjo konferencë është me e veçanta nga gjithë të tjerat. Kjo konferencë mbahet sot pas Kuvendit Kombëtar të rithemelimit të PD. Ngjarje kjo absolutisht unike si monument lirie e grave, vajzave dhe burrave të lirë”, tha ai.
Berisha e quajti Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit si një nga kuvendet më perëndimore në rrafshin e vlerave demokratike që sanksionoi në Kushtetutën e PD-së.
“Jehona e këtij Kuvendi, siç ishte unik në llojin e tij është e jashtëzakonshme në çdo votër dhe zemër shqiptari”, tha ai.
Ish-kryeministri u bëri edhe një thirrje të gjithë demokratëve, deputetëve dhe kryetarëve të degëve t’i bashkohen rithemelimit të partisë, duke u kujtuar atyre se vlerat dhe kontributet e dhëna nuk do të hidhen poshtë.

“Unë i ftoj të bashkohen, duke u thënë se kontributi i tyre do të vlerësohet. Vendi i tyre është aty ku janë idealet më fisnike dhe jo tek një parti, ku dy muajt e fundit, deputeti Basha e katandisi në një parti të ekstremit të majtë”, tha Berisha.
Dy ditë më parë Këshilli Kombëtar i PD-së vendosi shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të kësaj partie Edi Paloka dhe anëtarëve të kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi, si dhe sekretarëve: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi dhe Ledina Mandia.
Po ashtu, PD miratoi me të gjitha votat një Rezolutë të Këshillit Kombëtar, duke anuluar çdo vendim të dalë nga Kuvendi i mbledhur të shtunën nga Berisha.
Ndërsa të shtunën në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha u shkarkua Lulzim Basha si kryetar i Partisë Demokratike.
Pas ndryshimit të Statutit dhe shkarkimit të anëtarëve të Kryesisë të partisë, Kuvendi i thirrur nga Berisha do të mblidhet sërish për të mbajtur referendum./Shqip.com