Lajme

Osmani në Samitin për Demokraci përmend vetingun, gjenocidin dhe fuqizimin e gruas në shoqëri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Samitin për Demokraci të organizuar nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Osmani në fjalën e saj ka paraqitur pikat kryesore të zotimeve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e autokracive, fuqizimit të rolit të grave në shoqëri dhe krijimin e mekanizmave për të siguruar zbatimin e zotimeve, përcjell Shqip.com.

Ajo ka përmendur edhe “regjime autoritare dhe gjenocidale”.

“Së shpejti, Kosova do të shënojë 14 vjetorin e pavarësisë, por regjimet autoritare dhe gjenocidale i kemi luftuar për një kohë shumë më të gjatë se kaq”, ka deklaruar ajo.

Më tej, Osmani ka përmendur edhe veting-un si formë e reformimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Forcojmë sundimin e ligjit përmes zbatimit të plotë të Strategjisë Kombëtare për Sundim të Ligjit, dhe një procesi të vetingut i cili do t`i rrënjosë integritetin, paanshmërinë dhe profesionalizmin në zemër të sistemit tonë të drejtësisë”, ka deklaruar ndër të tjera e para e vendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë Samitit të Demokracisë

Osmani, gjatë fjalimit tha se “në betejën mes demokracisë dhe autokracisë, historia na mëson se akomodimi i autokratëve nuk funksionon kurrë. Sot është më shumë se një samit. Është zëri ynë i përbashkët që i refuzon tendencat autokratike dhe zëri ynë i përbashkët në mbrojtje të demokracisë”.

“Do ta themeloj një Këshill Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili do të bashkojë institucionet publike dhe shoqërinë civile për të shtyrë përpara dhe monitoruar zbatimin e zotimeve tona. Ky këshill tregon përkushtimin tonë afatgjatë për ta përmirësuar demokracinë tonë”, tha ajo.

“Në këtë frymë, unë do të organizojë një Samit Global për Gratë në Paqe dhe Siguri në vitin 2022 që do të bashkojë liderë nga e gjithë bota”, theksoi ndër tjerash, Osmani.

Në fund të fjalimit, presidentja e vendit falënderoi presidentin Biden nga populli më proamerikan në botë.

“Dua të falënderoj Presidentin Biden për lidershipin e tij në këtë përpjekje! Nga populli më pro-amerikan në botë, faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim”, tha ajo.

Në këtë Samit kanë marrë pjesë liderë botërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ata nga sektori privat./Shqip.com