Lajme

4 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Klinika Infektive, QKUK.

Katër raste të reja me COVID-19 janë regjistruar të hënën në Kosovë, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Sipas njoftimit, gjatë 24 orëve të fundit nuk është regjistruar asnjë viktimë nga COVID-19, kurse tetë persona janë shëruar, duke e çuar në 157 mijë e 836 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Ndërkaq, MSH ka njoftuar se numri i rasteve aktive me COVID-19 në vend është 318.

Ndryshe, dhjetëra mostra për testim të variantit Omicron, do të nisen të marten nga Kosova drejt Gjermanisë.

Rezultatet e tyre pritet të vijnë brenda tre apo katër javësh.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Xhevat Jakupi.

Lexo edhe:
Kosova dërgon dhjetëra mostra në Gjermani për testim të Omicronit

“Po, nesër do të nisen dhjetëra mostra për testim të variantit Omicron. Numri i saktë i mostrave do të dihet nesër në mëngjes. Rezultatet i presim pasi të përpunohen në laborator atje në Gjermani”, ka thënë Jakupi, raporton ‘Koha’.

Varianti Omicron, i shfaqur për herë të parë në Afrikën e Jugut, është konsideruar “shqetësues” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kjo ka bërë që shumë vende të ashpërsojnë masat anti-COVID për të frenuar një valë tjetër të mundshme.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës dje njoftoi për masat e reja anti-COVID, që janë marrë me arsyetimin e paraqitjes së këtij varianti në rajon./Shqip.com