Presidenti kroat viziton Kosovën për Krishtlindje

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, më 23 dhe 24 dhjetor do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë, njofton presidenca kroate, transmeton Shqip.com.
Sipas njoftimit, Milanoviq do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin, Albin Kurti.
Milanoviq në ditën e dytë të vizitës, do të shkojë edhe te pjesëtarët e ushtrisë kroate në Kosovë në kuadër të KFOR-it, ku do ta kalojë natën e Krishtilindjeve me trupat kroate.
“Kontingjenti i 36-të kroat është i stacionuar në Republikën e Kosovës dhe përfshin 141 pjesëtarë të Ushtrisë Kroate. Kjo vizitë në Kosovë do të jetë një mundësi që presidenti Milanoviç të takohet dhe ta bisedojë edhe një herë personalisht me trupat kroate të cilët festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri do t’i kalojnë larg familjeve të tyre”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Po ashtu, presidenti kroat do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Ferenc Kajári.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, presidenti Milanoviç do të vizitojë edhe Janjevën, me shumicë kroate./SHQIP.com