Lekaj: Ramën e shkarkoi Osmani, nuk dha dorëheqje

“Rrahman Rama u shkarkua nga detyra e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani, nuk ka dhënë dorëheqje”.
Kështu mendon deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili tërë procesin e dorëheqjes së Ramës po e konsideron si terr informativ dhe veprim të ngutshëm.
Lekaj thotë se Kuvendi nuk është njoftuar për dorëheqjen e gjenerallejtënant Ramës.
“Sa i përket shkarkimit të komandantit mendoj që në këtë drejtim është në terr informativ as si Parlament nuk kemi informatë dhe është dashtë që kjo të mos bëhet me nguti përpos që nëse ka pasur ndonjë krizë përbrenda FSK-së dhe në këtë drejtim sikur çdo vendim tjetër që Qeveria Kurti me nguti po e merr dhe po krijon huti te qytetarët, por edhe te Parlamenti”, deklaron ai për EO.

Lekaj thotë se në këtë proces mund të jenë bërë shkelje, ndërsa kërkon debat në Kuvend e sqarime nga presidentja e qeveria.
“Ne lusim Qeverinë Kurti që mos të marrin vendime të tilla edhe pse ky vendim është marrë nga presidentja Osmani, por që të debatohet dhe të jemi të informuar”.
“Mendoj që nuk ka qenë kaq e ngutshme që të bëhet ky veprim. Me siguri që përbëjnë edhe shkelje dhe në ditët në vijim do të informohemi për procedurat që janë marrë dhe do të debatohet edhe në Parlament”, shton deputeti i AAK-së.
Rama dha dorëheqje nga pozita e komandantit të FSK-së, përderisa ndërrimi i komandës u bë në një ceremoni shumë private e pa praninë e medieve.
FSK-në tash do ta udhëheq gjenerallejtënant, Bashkim Jashari./SHQIP.com