Lajme

Dorëheqje e vullnetshme, apo detyrim për t’u larguar? Paqartësia e ndërrimit të komandantëve në FSK

Disa ditë pasi u paralajmërua shkarkimi i tij, gjenerallejtënant Rrahman Rama dha dorëheqje nga pozita e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Prej një jave e më shumë në media qarkulloi lajmi se Presidenca është duke e përgatitur shkarkimin e tij.

Lexo edhe:
Bashkim Jashari komandant i ri i FSK-së

Dhe shkas për këtë, siç u raportua, ishte presioni politik i vazhdueshëm nga ministri Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Por, vetë Rama i ka hedhur poshtë këto raportime. Pasi ia dorëzoi detyrën komandantit të ri, Bashkim Jasharit, e arsyetoi dorëheqjen duke thënë se “kam nejt boll”.

Ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së komandantit të FSK-së (Jashari-Mehaj-Rama)

Duke u larguar pa dhënë një arsyetim të qartë, dorëheqja e tij ka ngjallur reagime të shumta.

Analisti Ilir Ibrahimi ka bërë ndërlidhje të rastit të Ramës me atë të ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakës.

Kjo e fundit u shkarkua nga presidentja Vjosa Osmani me arsyetimin se “ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së”.

Por, vetë Daka ka thënë se shkarkimi i saj ishte i padrejtë dhe se fillimisht Osmani i ka ofruar mirënjohje në këmbim të dorëheqjes.

Ndaj, të dyja këto raste sipas Ibrahimit, “janë alarm se këto institucione po lëkunden dhe po rrezikohen”.

Analisti politik, Ilir Ibrahimi

Ndërsa, Albert Krasniqi, hulumtues i Institutit Demokratik të Kosovës, thotë se dorëheqja e Ramës ishte e pritshme, pas lajmeve për shkarkimin potencial të tij.

“Nuk mund t’i di e as t’i parashikoj arsyet e vërteta, por nga ajo që ka qarkulluar në publik, ka qenë e pritshme dorëheqja e tij”.

Arsyet që kanë qarkulluar në media për dorëheqjen e gjenerallejtënant Ramës, janë të rrezikshme, tha Krasniqi duke iu referuar disa raportimeve se ministri Mehaj i kishte kërkuar Ramës të bënte diçka që ai e kishte cilësuar si thyerje të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj kishte refuzuar të bindej.

“Sepse në këtë mënyrë rrezikojmë që t’i prishim marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë. Nuk mund të shkarkohet dikush vetëm pse kërkon t’i respektojë marrëveshjet e nënshkruara me SHBA-në”, thotë Krasniqi për Shqip.com.

Arsyet e vërteta shpreson që do të sqarohen nga vetë Rama, por shton se “duhet pasur parasysh rastin e Dakës dhe nuk e dimë nëse teknikat e tilla janë përdorur edhe për komandantin”.

Krasniqi ndër të tjera theksoi se krerët e shtetit duhet ta kenë të qartë se institucionet e pavarura nuk janë aty për t’iu shërbyer interesave të tyre dhe të jenë luajalë ndaj agjendave të tyre partiake.

“Por, janë aty për të mbrojtur integritetin dhe për t’i kryer detyrat e tyre kushtetuese. Të shkarkohen për shkak se kanë vepruar në atë mënyrë, është e papranueshme dhe cenon funksionimin e institucioneve të pavarura.

Albert Krasniqi, hulumtues i Institutit Demokratik të Kosovës

Ndryshe nga Krasniqi, profesori i Shkencave Politike, Belul Beqaj, mendon se dorëheqja e Ramës nuk është pasojë e presionit politik, por ndërlidhet me shumë arsye të tjera, për të cilat thotë se në këtë situatë dhe kontekst të rrethanave nuk bëhen publike.

“Sidoqoftë, mendoj se me kohë do të dalin në sipërfaqe arsyet e mirëfillta, ndërkohë është bërë mirë që në krye të FSK-së ka ardhur një pjesëtar i familjes legjendare me shpresë se ai do të arsyetojë detyrën me kompetencë që e ka marrë në kontekstin e rrethanave aktuale”, deklaron Beqaj për Shqip.com.

Sa i përket rastit të Dakës, thotë se “ishte vendim emocional i presidentes”.

Por, përfundimisht pohon se institucionet në Kosovë nuk funksionojnë të varura politikisht, megjithatë shton se “politikbërja e re e Kosovës, në mungesë të përvojës, po gabon që disa vendime po i merr  emocionalisht”.

“Prandaj këshilla ime është që politikbërja dhe vendimmarrja duhet të bazohen në racionalitet, përndryshe do të shkaktohen pasoja që do të humbasin besimin në pushtetin aktual”.

Profesori i Shkencave Politike, Belul Beqaj

Në rastin e Dakës e as në këtë të Ramës “asnjë problem” s’e sheh analisti Xhevdet Pozhari.

Sipas tij, në të dyja rastet është bërë zëvendësimi i personave që kanë qenë në pozita udhëheqëse me persona që janë po aq të kualifikuar dhe profesionistë.

“Zoti Rama nëse ka pasur vërtetë presion le t’i bëjë publike, por nuk merrem me thashetheme”, tha ai për Shqip-in.

“Sa i përket rastit të Dakës, mirënjohja më e madhe i është bërë duke iu ofruar 50 mijë euro pagë në vit si piune e Thaçit, për 10 vjet ajo ka marrë 500 mijë euro. S’e besoj që ka mirënjohje me të madhe se aq”.

Analisti politik, Xhevdet Pozhari

Si në rastin e Dakës edhe në këtë të Ramës asnjë nga palët e përfshira nuk janë treguar krejtësisht transparentë. Të dy shkarkimet/dorëheqjet, përkundër se brenda-ligjore, janë konsideruar deri diku të çuditshme për mënyrën se si kanë ardhur dhe atë që u ka paraprirë.

Në vend të Ramës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, të martën ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të FSK-së. Bashkimi është nipi i komandantit dhe heroit Adem Jasharit nga Prekazi./SHQIP.com