Lajme

Rama: Kurti e kishte festuar ditëlindjen e tij në shtëpinë time në Londër

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Përparim Rama, kryetari i ri i Prishtinës, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte festuar ditëlindjen në shtëpinë e tij në Londër, përcjell Shqip.com.

Teksa tregoi për miqësinë e tij me Kurtin, Rama theksoi se nuk do të mungojë bashkëpunimi mes tyre në qeverisjen për kryeqytetin.

Lexo edhe:
Përparim Rama nis punën në fillim të dhjetorit

“Edhe Albini ka qenë në shtëpinë time, ka festuar ditëlindjen, kemi kontakte, mendoj që ka me qenë një bashkëpunim i mirëfilltë. Kurti është kryeministër unë jam kryetar i komunës, dhe duhet të bashkëpunojmë për të mirën e popullit. Ai mendon për të mirën e popullit, edhe unë mendoj po ashtu. Nuk mendoj që ka me mungu bashkëpunimi mes neve”, tha ai në Kanal 10.

Ndërkaq, Rama ka njoftuar për Shqip.com se pozitën e të parit të kryeqytetit do ta marrë më 7 dhjetor, në një seancë inaguruese nga ora 10:00.

“Ditën e martë, më datë 07 dhjetor 2021, me fillim në ora 10:00 mbahet seanca inauguruese me ç’rast bëhet betimi i anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe betimi i Kryetarit të zgjedhur të Komunës së Prishtinës.

Gjithashtu, pas përfundimit të kësaj seance solemne, bëhet pranim-dorëzimi ceremonial i detyrës së Kryetarit të Komunës së Prishtinës”, shtoi ai.

Ndryshe, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ka fituar 51.07 për qind të votave, ndërsa kundërkandidati i tij, Arben Vitia, nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 48.93 për qind të votave./SHQIP.com