Lajme

Copëza xhami në pudingun “Arla” që importohet nga EHW/ AKU apel qytetarëve: Mos e konsumoni, kthejeni në dyqan!

Një alarm kritik për sigurinë ushqimore ka vënë në lëvizje Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Pas sinjalizimit emergjent nga rrjeti europian RASFF, AKU u bën thirrje qytetarëve të shmangin konsumin e disa loteve të pudingut proteinik “Arla” me origjinë nga Danimarka, i cili importohet në Shqipëri nga kompania EHW.

Sipas njoftimit zyrtar, në këtë produkt janë gjetur copëza xhami, çka përbën një rrezik serioz për jetën e konsumatorëve. Të dhënat zyrtare konfirmojnë se në tregun shqiptar kanë hyrë rreth 3 ton nga ky produkt i rrezikshëm.

Prania e xhamit u zbulua pas ankesave të vetë konsumatorëve në Danimarkë, gjë që aktivizoi mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë.

-Nëse jeni përdorues të këtyre produkteve, të cilat frekuentohen kryesisht nga sportistët dhe të rinjtë, ndaloni menjëherë konsumin nëse kanë numrin e lotit (Batch) dhe datën e skadencës si në këtë listë:

– Arla Protein Pudding (Çokollatë) – Batch: ES26244001 | Skadenca: 07.04.2027

-Arla Protein Pudding (Karamel) – Batch: ES26272001 | Skadenca: 26.04.2027

– Arla Protein Pudding (Karamel) – Batch: ES26287001 | Skadenca: 08.05.2027

Ndërkohë, nje tjeter lot i këtij produkti po mbahet në vëzhgim, por verifikimet e para tregojnë se nuk ka hyrë në Shqipëri.

Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal, pasi prania e copëzave të xhamit në produkt mund të shkaktojë trauma të rënda të brendshme dhe dëmtime të sistemit tretës.

Konsumatorët duhet t’i kthejnë këto produkte pranë pikave ku i kanë blerë, ndërsa bizneset janë urdhëruar t’i tërheqin menjëherë nga raftet.

©Shqip.com