Lajme

Armand dhe Agron Duka shesin “Eco Market”/ Rrjeti i marketeve kalon te biznesmeni nga Kosova Xhevdet Rexhepi, më parë bleu edhe “SPAR”

Pas blerjes së rrjeti SPAR nga grupi Balfin një vit më parë, biznesmeni kosovar Xhevdet Rexhepi ka blerë një tjetër rrjet të madh marketesh në Shqipëri. Këtë herë bëhet fjalë për zinxhirin e supermarketeve Eco Market, që zotëroheshin nga Armand dhe Agron Duka.

Shifra e transaksionit nuk është bërë publike, por marrëveshja mes palëve është mbyllur siç njoftoi Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka dhënë dhe miratimin për këtë transaksion.

Rrjeti i marketeve “Eco Market” përfshin 16 dyqane të vendosura në Tiranë, Durrës dhe Fier. Aksionet e tij mbaheshin nën shoqërinë D & D Distribution, aksionet e së cilës zotërohen gjysmë për gjysmë nga Armand dhe Agron Duka.

Armand dhe Agron Duka

Vitin e kaluar kjo shoqëri realizoi një xhiro prej 25 milionë eurosh dhe rezultoi me humbje fiskale në masën 300 mijë euro.

Ky është rrjeti i dytë i marketeve që biznesmeni kosovar Xhevdet Rexhepi ble në Shqipëri. Vitin e kaluar ai bleu rrjetin e dytë më të madh të marketeve në vend, zinxhirin SPAR nga grupi Balfin për rreth 44 milionë euro.

Biznesmeni Xhevdet Rexhepi

Përmes blerjes së Eco Market, Rexhepi zgjeron edhe më shumë peshën e tij në tregun e shitjes me pakicë të produkteve ushqimore dhe të konsumit të përditshëm në Shqipëri duke u bërë tashmë lojtari më i madh në këtë treg.

©Shqip.com