Lajme

Inxhinieri i Kredo i vjedh 200 mijë euro Raiffeisenit. Alarmohen klientët e bankës, ‘lumë’ denoncimesh në Polici

Një punonjës i institucionit të mikrofinancës, Kredo (Kredo.al) është njeriu që hackeroi sistemin kompjuterit të Raiffesen Bank duke vjedhur më shumë se 200 mijë euro.

Eglant Mançja, me profesion inxhinier IT, ka vënë në jetë një skemë të sofistikuar të vjedhjes së parave nga banka duke shfrytëzuar një dobësi në sistemin dixhital të Raiffeisenit.

Nga hetimet paraprake rezulton se në skemë janë përfshirë mbi 40 persona. Llogaritë bankare hapeshin kundrejt pagesës, transfertat ndaheshin në shuma të vogla për të mos ngritur dyshime, ndërsa më pas paratë tërhiqeshin nga persona të ndryshëm.

Vetëm pas disa orësh banka konstatonte mungesën e fondeve, duke zbuluar se transfertat ishin ekzekutuar mbi para që nuk ekzistonin realisht në llogaritë e dërguesve.

Rënia e sistemit të Raiffeisen

Skema ka nxjerrë në pah një dobësi të madhe në sistemin dixhital të bankës Raiffeisen. Në orët e vonëta të natës, sistemi i Raiffeisen “flinte” bashkë me punonjësit.

Gjatë këtyre orëve sistemi lejonte transferimin e fondeve online brenda llogarive ose nga karta në kartë duke përdorur aplikacionet e bankës, pa patur nevojë që llogaritë të kishin para të depozituara brenda.

Për këtë arsye, Mançja kishte krijuar një grup me 40 persona të cilët hapnin llogari në Raiffesen dhe më pas tërhiqnin fondet që u transferoheshin nga llogaritë e tjera. Tërheqjet bëheshin herë pas herë dhe në shuma të vogla për mos të rënë në sy.

Megjithatë ky është një defekt i rëndë në një kohë kur bankat kanë detyrime ligjore për të investuar në mbrojtjen e tyre kibernetike, pasi administrojnë paratë e qytetarëve./ Kapitali

©Shqip.com