Dhjetë ditë në shesh, një thirrje për të gjithë politikën: Mjaft më!
Prej dhjetë ditësh tashmë, Shqipëria ka hyrë në një valë protestash që kanë tërhequr pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve në qytete të ndryshme të vendit. Prania e lartë në këto tubime tregon se pakënaqësitë e akumuluara ndër vite po gjejnë shprehje përmes protestës, si një mjet demokratik për të kërkuar ndryshim dhe llogaridhënie.
Krahas kërkesave që lidhen me çështje konkrete, nuk kanë munguar as thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, të cilat pasqyrojnë zhgënjimin e një pjese të qytetarëve ndaj figurave kryesore të politikës shqiptare dhe bindjen se drejtësia duhet të veprojë njësoj për të gjithë, pavarësisht pozitës apo përkatësisë politike. Për shumë protestues, këto nuk janë thjesht slogane të momentit, por një kërkesë e qartë që askush të mos jetë mbi ligjin.
Protesta duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për kastën e vjetër politike, e cila për më shumë se tridhjetë vjet ka mbajtur në duar fatet e vendit. Për një pjesë të madhe të qytetarëve, kjo kastë politike mban përgjegjësi për korrupsionin, keqqeverisjen dhe mungesën e perspektivës që ka detyruar mijëra shqiptarë të largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë. Shumë njerëz ndihen të tradhtuar nga premtime të pambajtura dhe nga një sistem që, sipas tyre, ka favorizuar interesa të ngushta në dëm të së mirës së përbashkët. Kupa e durimit është mbushur prej kohësh dhe zëri i qytetarëve kërkon të dëgjohet seriozisht.
Në këtë kuadër, protesta duhet të mbështetet jo vetëm për çështjet mjedisore, por si shprehje e nevojës për më shumë përgjegjësi, transparencë dhe respekt ndaj interesit publik. Mbrojtja e mjedisit nuk është një çështje dytësore, por pjesë e detyrimit që kemi ndaj vendit dhe brezave të ardhshëm.
Sa i përket projektit të Zvernecit, askush nuk është kundër zhvillimit. Shqipëria ka nevojë për investime dhe projekte që sjellin mirëqenie ekonomike. Megjithatë, zhvillimi nuk duhet të vijë në kurriz të zonave të mbrojtura, të cilat përfaqësojnë një pasuri të pazëvendësueshme natyrore dhe kombëtare.
Zhvillimi i vërtetë është ai që arrin të balancojë progresin ekonomik me ruajtjen e mjedisit. Pasuritë natyrore që kemi sot nuk janë vetëm trashëgimi e së kaluarës, por edhe përgjegjësi ndaj brezave që do të vijnë. Për këtë arsye, ato duhet t’i mbrojmë me mish e me shpirt.
/Shqip.com