Dialogu Kosovë-Serbi, javën e ardhshme Bislimi në Bruksel

Takimi i radhës në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet javën e ardhshme në Bruksel.
Ky takim në nivel kryenegociatorësh do të zhvillohet më 16 nëntor.
Kështu thotë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili shton se tema të diskutimit do të jenë çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, e energjisë dhe lëvizja e lirë.
“Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e paraparë për datën 16 nëntor 2021 në Bruksel në nivel kryenegociatorësh. Temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, e energjisë dhe lëvizja e lirë” tha ai për KP.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë, në një konferencë për media kishte deklaruar se në nivel të kryenegociatorëve do të ketë takim kah mesi i muajit nëntor, duke shtuar se nuk dihet data e saktë se kur do të jetë takimi i radhës mes tij dhe Vuçiq në ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. /Shqip.com