Lajme

Presidenca e Kosovës për muralin e Mlladiçit në Beograd: Fyerje ndaj viktimave të këtij krimineli

Zyra e Presidentit të Kosovës

Presidenca e Kosovës ka reaguar lidhur me muralin e vendosur në qendër të Beogradit në përkrahje të kriminelit Ratko Mlladiq.

Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, ka thënë se vendosja e këtij murali është fyerje ndaj kujtimit dhe dinjitetit të viktimave.

Në një postim në Twitter, ka shkruar se kjo është shenjë e mbështetjes së “regjimit të Vuçiqit ndaj kriminelit të luftës”.

“Në qendër të Beogradit ekziston një simbol i mbështetjes së regjimit të Vuçiqit për të dënuarin për krime lufte Ratko Mlladiq”, ka shkruar Vela.

“Kjo është një fyerje ndaj kujtimit dhe dinjitetit të viktimave të këtij krimineli lufte. Pa u marrë me të kaluarën, Serbia do të mbajë gjithmonë gjeneralë gjenocidialë si heronj të saj”.

Murali i Mlladiqit u shfaq më 23 korrik në komunën e Vraçarit, afër qendrës së qytetit.

“Gjeneral, nëna juaj duhet të falënderohet”, shkruhet në slogan.

Mbrëmjen e kësaj të marteje, shumë qytetarë serbë janë mbledhur para këtij murali.

Siç njofton B92, aktivistja për të drejtat e njeriut, Aida Qoroviq, është arrestuar dhe më pas liruar pasi ka gjuajtur me vezë në muralin e Mlladiqit./SHQIP.com