Lajme Ballkan

Ambasada e SHBA-së konfirmon se Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci

Ambasada e Amerikës në Kosovë
Ambasada e Amerikës në Kosovë

Ambasada e Shtetet të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ka konfirmuar se Kosova nuk është ftuar në Samitin për Demokraci, që do të mbahet për herë të parë në SHBA, transmeton Shqip.com.

Kjo ambasadë ka dhënë arsyet se përse Kosova është lënë anash këtij samiti.

“Samiti për Demokraci i Presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”, thuhet në njoftim, raporton ‘Koha’.

Megjithatë, kjo ambasadë ka thënë se SHBA-ja është partnere e palëkundur e Kosovës në ndërtim të demokracisë.

“Si partnere e palëkundur e Kosovës, SHBA-ja mbetet e përkushtuar që të punojë me Kosovën në forumet tjera për të avancuar dhe fuqizuar demokracinë, parandaluar rrëshqitjen demokratike, promovuar respektimin e të drejtave të njeriut, dhe për të luftuar korrupsionin, me qëllim që bashkë të dëshmojmë se demokracitë angazhohen për nevojat e qytetarëve të tyre”, thuhet më tej në reagim.

Presidenti amerikan Joe Biden do të jetë nikoqir i këtij Samiti virtual më 9 dhe 10 dhjetor.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden

Pjesëmarrës do të jenë udhëheqës të qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat, ku diskutimi do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia dhe do të ofrojë një platformë ku udhëheqësit angazhohen, individualisht ose kolektivisht, për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Ndonëse lista zyrtare nuk është bërë ende e ditur, medium prestigjioz amerikan “Politico”, ka siguruar listën përmes burimeve të saj, në të cilën ishin 100 shtete pjesëmarrëse në këtë samit, por që aty nuk figuroi Kosova.

Në këtë listë, përveç Kosovës, nuk është ftuar as Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nga rajoni.

Ndërkohë, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë ftesë. /Shqip.com

Lista e shteteve që kanë marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci që do të mbahet në SHBA