Elezi: Rinumërimi i 292 vendvotimeve mund të marrë kohë disa ditë

Numërimi i 292 vendvotimeve që u takojnë zgjedhjeve lokale për kuvende komunale mund të marrë disa ditë kohë, përcjell Shqip.com.
Këto i ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili njoftoi se ky rinumërim do të bëhet pasi që ka mospërputhje të votave të subjekteve politike.

Tutje, Elezi tha se pas përfundimit të rinumërimit të tyre, nëse nuk do të ketë rinumërim tjetër, KQZ do të mund të shpallë rezultatin përfundimtar.
“Ju njoftoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi për rinumërimin e rreth 300 vendvotimeve që u takojnë zgjedhjeve lokale për kuvende komunale të cilat u mbajtën më 17 tetor. Në disa raste subjektet politike kanë marrë vota por jo edhe kandidatët dhe anasjelltas.
Rinumërimi i këtyre vendvotimeve mund të marrë kohë disa ditë dhe pas përfundimit të tyre nëse nuk do të ketë rinumërim tjetër KQZ-ja do të mund të shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për kuvende komunale”, deklaroi ai./SHQIP.com