Dyshohet se sulmoi nënën e tij, Gjykata në Ferizaj i cakton një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj të pandehurit G.I., për shkak se dyshohet që ka sulmuar nënën e tij, përcjell Shqip.com.
Sipas njoftimit të Gjykatës, dyshohet se i pandehuri më 13 tetor në banesën e tyre, me dashje ka përdorur dhunë fizike ndaj nënës së tij, duke e ofenduar fillimisht me fjalë banale dhe pastaj duke e goditur me shuplakë në fytyrë.

“I pandehuri më 13.10.2021, në Ferizaj, saktësisht në banesën e tyre, pas një mosmarrëveshje verbale me të dëmtuarën nënën e tij, me dashje ka përdorur forcën fizike ndaj të dëmtuarës, në atë mënyrë që fillimisht e ofendon me fjalë banale, pastaj e godet me shuplakë në fytyrë e më pas duke e kapur për krahu i shkakton dhembje në trup, me ç ‘rast i shkakton dhimbje fizike, por e dëmtuara nuk ka kërkuar tretman mjekësor menjëherë pas incidentit pasi që ishte në gjendje të rëndë emocionale”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Tutje, Gjykata ka njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./SHQIP.com