Lajme Botë

Egjipti dhe Jordania paralajmërojnë Izraelin: Mos i zhvendos palestinezët!

Në fund të një takimi me dyer të mbyllura në Kajro, presidenti egjiptian Abdel Fattah El Sisi dhe mbreti jordanez Abdallah II dënuan “dënimin kolektiv” që Izraeli po iu bën palestinezëve të Gazës.

Po ashtu ata kanë reaguar ashpër sa i takon planeve të Tel Avivit për zhvendosjen e popullsisë civile palestineze nga Gaza.

Të dy liderët paralajmërojnë më tej se zgjatja e luftës në Gaza rrezikon të tërheqë rajonin në një “katastrofë”.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 3.785 njerëz janë vrarë dhe mbi 12.500 janë plagosur nga sulmet izraelite.

Banorët atje – mbi 2.1 milionë – kanë mbetur pa furnizime me ushqim, ujë dhe naftë – sipas vendimit izraelit të marrë pak pas sulmeve të Hamasit në Izrael.

Nga sulmet e Hamasit në tokën izraelite, më 7 tetor, janë vrarë më shumë se 1.400 njerëz.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë që Hamasi besohet se i ka marrë edhe 206 pengje në sulmet që i ka kryer në Izrael, dhe dyshohet se i ka dërguar në Gazë.

/Shqip.com