Ndahet nga jeta aktori i madh shqiptar, Xhevat Qorraj

Lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit 76-vjeçar e bëri të ditur në një postim në Facebook, Betim Qorraj.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për ju! Lamtumirë Xhevat Qorrja”, thuhet në postim.
Aktori i njohur ishte i lindur në vitin 1947 në fshatin Carrabreg të Deçanit. Ai është i njohur më shumë për filmat: “3 dritare dhe një varje”, “Eternally Child” dhe “Memory”.
Por, së fundmi ka marrë pjesë edhe në serialin “Rrushe”, në rolin e Farukut. Qorraj i takon gjeneratës së parë të aktorëve kosovarë.
Ai, gjithashtu, nga viti 1972 është punësuar si aktor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dikur Teatri Popullor Krahinor, gjersa ka të realizuara 60 role në kinematografi dhe teatër.
Për vdekjen e tij ka shkruar edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Ai tha se vdekja e tij është një humbje e madhe për artin dhe kulturën, por shtoi se ai do të mbahet mend gjatë për artin e tij.
“Lajmi për vdekjen e Xhevat Qorrajt, një prej aktorëve më të spikatur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, na trishtoi të gjithëve. Një humbje e madhe për artin e kulturën, por me një galeri të pasur rolesh, Qorraj do të mbahet mend gjatë dhe do të vazhdojë të ndriçojë rrugën e artit për shumë breza. Ngushëllime të sinqerta për familjen dhe të gjithë komunitetin artistik”, ka shkruar ai.
/Shqip.com