Lajme

AVONET: Policia në Ferizaj ka gjobitur qytetarët duke u bazuar në ligj të pavlefshëm

Ilustrim
Ilustrim

Rrjetit i OJQ-ve AVONET përmes një komunikate për media të martën, ka deklaruar se gjobat e datës 16.06.2023 për kundërvajtje të shqiptuara nga zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, kundër protestuesve në lagjen “Gëzim Sahiti” janë të padrejta dhe të bazuar në një ligj të pavlefshëm (shfuqizuar).

Sipas AVONET-it, këto vendime (gjoba) kanë ardhur si rezultat i anulimit të vendimeve (gjobave) paraprake nga Komisioni i Ankesave i Policisë së Kosovës të shqiptuara në ditën e protestës paqësore.

“Këto tendenca që me çdo kusht të dënohen këta protestues, pa marrë parasysh bazën ligjore janë një faktor shumë shqetësues që duhet të brengosë çdo qytetar të Republikës së Kosovës, e duhet të alarmojë çdo institucion ligj-zbatues, sipas detyrës zyrtare në vendin tonë”, thuhet në komunikatën për media.

AVONET ka kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe ligjshmërinë në sistemin tonë ligjor.

“Autoritetet duhet të marrin masa urgjente për të korrigjuar këto shkelje të drejtësisë dhe për të rikthyer besimin në sistemin ligjor të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.

Ndryshe, banorët e lagjes “Gëzim Sahiti” në Ferizaj kanë protestuar ditë më parë si shkak pakënaqësie i lejimit të një ndërtimi 11 katësh, i cili po bëhet në mes të shtëpive në pjesën e njohur si Lagjja e Re.

/Shqip.com