Vendosja e KFOR-it në pikat kufitare në veri ka dy pasoja, sipas Hasanit

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori universitar, Enver Hasani, vlerëson se propozimi për vendosjen e KFOR-it në pikat e kufirit në veri të Kosovës nuk është i mirëmenduar. Sipas tij, kjo ka dy pasoja.
Të mërkurën mbrëma, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ishte në takim me palën serbe dhe Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në Bruksel, njoftoi se është hartuar një draft final për marrëveshjen për targat mes Kosovës dhe Serbisë. Një nga pikat e këtij drafti është që Njësia Speciale e Policisë së Kosovës të zëvendësohet me forcat e KFOR-it në veri.

“Kjo nënkupton që KFOR po merr juridiksionin e autoriteteve të shtetit të Kosovës. Kjo ka dy pasoja: e para, i jep KFOR-it një mandat të sigurisë, pra jo mandat ushtarak, që u takon autoriteteve policore kosovare; dhe, e dyta, shtyen formimin e Ushtrisë së Kosovës sepse me këtë Kosova po tregon që nuk ka kapacitete për të ndërtuar struktura ushtarake neutrale dhe të besueshme sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë Hasani në një përgjigje për KALLXO.com.
Sipas Hasanit, janë organet e shtetit që duhet të kujdesen për sigurinë në Kosovë.
Ndërsa, ka shtuar se KFOR-i është këtu si“respondent i fundit në rast të çrregullimeve radikale shoqërore që rrezikojnë paqen dhe sigurinë rajonale dhe më gjërë”.
“KFOR në Kosovë vepron sipas kërkesës shprehimore të autoriteteve të Kosovës. Kjo siç po ndodh tani nuk ka fare të bëjë me këtë mandat të KFOR-it, por me rikthimin e mandatit parësor të tij në një mandat që u takon organeve të sigurisë së Kosovës”, ka thënë Enver Hasani derisa ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Në një deklarim në Facebook, numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se të shtunën pritet që KFOR të zëvendësojë forcat speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
“Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situates”, tha ai./SHQIP.com