Kosova dhe Kroacia së shpejti me marrëveshje për blerjen e mjeteve ushtarake
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, njoftoi se gjatë vizitës në Kroaci është takuar me homologun kroat, Mario Banozic, me të cilin tha se janë pajtuar për realizimin e marrëveshjes në fushën e blerjeve ushtarake “Shtet me shtet”.
Po ashtu bëri të ditur se janë dakorduar për mundësinë e pjesëmarrjes në operacione të përbashkëta paqeruajtëse, si dhe për Memorandumin e ri të Mirëkuptimit mes dy ministrive të mbrojtjes, për të cilin tha se do të nënshkruhet së shpejti në Prishtinë.
“Në takim, isha së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla. Në takim diskutuam për potencialin tonë të madh të bashkëpunimit të ardhshëm tekniko-ushtarak”.
“Takimi konfirmoi lidhjet e forta dypalëshe midis Kroacisë dhe Kosovës, të cilat i kemi ngritur në nivel edhe më të lartë pas takimit të mëhershëm, në prill të këtij viti, në Zagreb”, ka shkruar Mehaj në profilin e tij në Facebook.

Ndër të tjera, tha se në takim kanë ripërsëritur rëndësinë e dialogut strategjik midis dy vendeve në kontekstin e interesit të përbashkët për stabilitetin e Evropës Juglindore.
“Me këtë rast vlerësova lart, edhe njëherë, rolin dhe kontributin e madh të kontingjentit kroat në kuadër të KFOR-it”.
“Me ministrin Sveçla e njoftuam ministrin Banozic, mbi situatën aktuale politke dhe të sigurisë në Kosovë, veçanërisht për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës”.
“Sa i përket bashkëpunimit shumëpalësh, dhe duke pasur parasysh që Republika e Kroacisë kryeson Nismën Rajonale, SHBA-Karta e Adriatikut (A5) si dhe Bashkëpunimin e Mbrojtjes të Evropës Qendrore këtë vit, mora ftesën nga ministri Banozic, për pjesëmarrje në takimet e ardhshme në nivelin e ministrave të mbrojtjes të dy nismave”.
Tutje, është shprehur se Kroacia është partner i fuqishëm i Kosovës “me të cilin do të rrugëtojmë së bashku në perspektivën e sigurtë zhvillimore në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”./SHQIP.com