Sport Shqiptar

KE e FFK-së thotë se do t’i njoftojë UEFA-n dhe FIFA-n për situatën rreth Agim Ademit

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka thënë se do të informojë UEFA-n dhe FIFA-n dhe do t’u paraqes raport të detajuar në lidhje mbi zhvillimet e fundit në FFK, ku presidenti i kësaj federate Agim Ademi është dërguar në arrest shtëpiak.

Ademi akuzohet për “keqpërdorim të besimit” dhe “evazion fiskal”.

Komiteti Ekzekutiv ka mbajtur një mbledhje urgjente të hënën.

“KE shpreh shqetësimin në lidhje me të gjitha veprimet që kanë ndodhur me datë 21 mars, në zyrat e FFK-së dhe ndaj stafit të Kombëtares në hotelin ku është i akomoduar, nga disa policë civilë, të cilët kanë ndërhyrë pa u prezantuar fare dhe pa asnjë dokumentacion, gjë e cila dëshmohet edhe në komunikatën e policisë, sepse nuk ka pasur asnjë shkresë zyrtare deri më datën 22 mars 2023. Këto veprime pa bazë ligjore, KE do t’i adresojë pranë organeve përkatëse të Kosovës. Gjithashtu, KE i FFK-së vendosi që t’i informojë instancat më të larta ku bënë pjesë, UEFA-n dhe FIFA-n dhe t’ua paraqesë një raport të detajuar mbi zhvillimet e fundit dhe njëherësh t’i mbajë të informuara në vazhdimësi. KE edhe një herë rithekson gatishmërinë për të bashkëpunuar me çdo institucion të Kosovës, të UEFA-s dhe FIFA-s për adresimin e të gjitha çështjeve dhe parregullsive potenciale, të cilat kanë mundur të ndodhin, si pranë organeve të saj përkatëse, po ashtu edhe atyre shtetërore”, thuhet në komunikatën. “KE i siguron të gjithë se çdo boshllëk eventual do të plotësohet konform dispozitave të statutit në fuqi”.

Komiteti Ekzekutiv ka shprehur indinjatë për “veprimet dhe shqetësimet që kanë ndodhur në ambientet ku ishte Kombëtarja e Kosovës dhe në selinë e FFK-së”.

“Sipas bindjes së KE të FFK-së, një pjesë e tyre kanë qenë pa bazë ligjore dhe kanë fyer dinjitetin e ekipit dhe stafit të Kombëtares. KE shpreson se në ditët në vijim të gjitha këto shqetësime të sqarohen dhe organet kompetente të vendosin konform rregullave dhe procedurave dhe të ndihmojnë Kombëtaren e Kosovës dhe FFK-në në përfaqësimin e saj dinjitoz në arenën ndërkombëtare. KE inkurajon ekipin dhe stafin e Kombëtares që të mos ndikohen nga këto zhvillime dhe të vazhdojnë të japin paraqitje dinjitoze në ndeshjen kundër kombëtares së Andorrës, ashtu sikurse në ndeshjen kundër kombëtares së Izraelit”, thuhet në komunikatë.

/Shqip.com