Lajme

Molliqaj: Kurti sot tradhtojë Kosovën, shihemi në protesta

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar pasi Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, ku janë pajtuar për rrugën e negociatave.

Ai ka thënë se sot është tradhtuar Kosova, derisa ka paralajmëruar protesta në shesh.

Një njeri i ngjitur n’pushtet nga rezistenca më e fuqishme e pas luftës n’vend, sot e dorëzoi Kosovën. Një parti që u ngrit nga mijëra protesta kundër Asociacionit, sot e solli atë. Një qeveri që mashtroi për 2 vite se nuk do të negociojë pa njohjen në qendër, sot e pranoi përjetësimin e mosnjohjes.

Sot Albin Kurti i ndau rrugët nga ata qindra mijëra njerëz që e kundërshtuan Asociacionin. I ndau rrugët me ata që edhe sot vazhdojnë t’jenë kundër, po aq fuqishëm. Sot Albin Kurti Kosovës po ia rrezikon të ardhmen, sepse vetes po don t’ia ruajë pushtetin”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Lexo edhe:
Borrell: Ka marrëveshje mes Kosovës e Serbisë

Ndryshe, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell ka folur për mediat pas një serie të gjatë takimesh në Ohër me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin serb Aleksander Vucic.

Pas takimeve Borell ka deklaruar se palët janë pajtuar për të respektuar të gjitha Nenet, pra përfshirë edhe Asociacionin.

Për nenin 7, Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë, dhe kur them menjëherë, them menjëherë, negocimin për të vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb”, tha Borrell.

Borrell tha se Kosova pajtohet që të nis negociatat me BE-në për të bërë Asociacionin. “U është bërë e qartë se rruga e tyre e integrimit varet nga respektimi i marrëveshjes”, tha tutje ai.

Ai bëri të ditur se nuk ka asnjë rrugë tjetër për t’ju bashkuar BE-së pa i normalizuar marrëdhëniet mes vete Kosova dhe Serbia.

/Shqip.com