Greva e kompanisë “Pastrimi”, as në Drenas nuk do të kryhet grumbullimi i mbeturinave

Punëtorët e Ndërmarrjes “Pastrimi” kanë hyrë në grevë e kështu krahas Prishtinës, mbeturinat nuk do të mblidhen as në Komunën e Drenasit.
Kjo është bërë e ditur nga Komuna e Drenasit me anë të një njoftimi për media.
“Të nderuar qytetarë të Komunës së Drenasit, ju njoftojmë se kryerja e shërbimit për grumbullimin e mbeturinave, nuk është duke u kryer sipas orarit të rregullt për shkak se Kompania Regjionale e Mbeturinave është në grevë dhe ky njoftim ju është ardhur edhe degës së KRM “Pastrimi” në Drenas”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Tutje, në njoftim thuhet se shërbimi i grumbullimit të mbeturinave do të kryhet pas përfundimit të grevës.
“Shërbimi për grumbullimin e mbeturinave në ekonomitë familjare do të kryhet pas përfundimit të grevës së shpallur nga niveli qendror i kësaj kompanie me seli në Prishtinë”.
Për grevën kanë paralajmëruar nga Sindikata e Pavarur e KRM “Pastrimi”, të cilët kanë kërkuar rritje page.
Lidhur me këtë ka ardhur reagimi edhe nga nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.
Zogaj ka thënë se kjo gjendje është e papranueshme dhe nuk do ta tolerojmë.
Lexo edhe:
Kompania “Pastrimi” në grevë, Prishtinën e mbulojnë mbeturinat
“Të dashur qytetare te Prishtinës. Sot kemi gjendje alarmante në qytet, punëtoret e Ndërmarrjes ‘Pastrimi’ janë futur në greve! Jemi duke u marr’ intenzivisht me ketë problem dhe shpejte arrijmë marrëveshje! Kjo gjendje është e papranueshme dhe nuk do ta tolerojmë!”, ka thënë Zogaj.
Në anën tjetër, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve, qëndrojnë në qëndrimet e veta që ngritja të bëhet menjëherë dhe që rritja të bëhet sipas kërkesës se tyre.
/Shqip.com