Lajme

Kompania “Pastrimi” në grevë, Prishtinën e mbulojnë mbeturinat

Prishtina mëngjesin e sotëm është mbuluar me mbeturina. Kjo për shkak të grevës së punëtorëve të Kompanisë Regjionale “Pastrimi”.

Për grevën kanë paralajmëruar nga Sindikata e Pavarur e KRM “Pastrimi”, të cilët kanë kërkuar rritje page.

“Lidhur me grevën e organizuar nga Sindikata e Pavarur e KRM “Pastrimi”, ju njoftojmë se  pas shprehjes së pakënaqësisë të punëtorëve lidhur me ngritjen e pagave, sot me dt. 13.03.2023 u organizua takimi i radhës në mes të Menaxhmentit të Kompanisë, Bordit të Drejtorëve dhe Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të KRM “Pastrimi”, SH.A.Gjatë këtij takimi u diskutua dhe është analizuar gjendja financiare e kompanisë dhe mundësia e ngritjes së pagave të punonjësve. Menaxhmenti i Kompanisë “Pastrimi”, dhe Bordi i Drejtorëve u deklaruan se është për ngritjen e pagave meqenëse me kontratën e re të po sa nënshkruar në mes të Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë ”Pastrimi”, SH.A, ka një rritje të numrit të klientëve, dhe kjo rritje e numrit të klientëve do duhej të reflektonte në përmirësimin e gjendjes financiare të kompanisë, andaj Menaxhmenti i Kompanisë dhe Bordi i Drejtorëve u zotuan që muajve të ardhshëm të ketë ngritje të pagave në bazë të mundësive-(të hyrave shtesë) të krijuara me kontratën e re”, thuhet në komunikatë.

Mbeturinat

Në anën tjetër, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve, qëndrojnë në qëndrimet e veta që ngritja të bëhet menjëherë dhe që rritja të bëhet sipas kërkesës se tyre, kanë shtuar më tutje nga Sindikata e Pavarur e KRM “Pastrimi”.

/Shqip.com