Lajme

Sveçla: Vendimi për reciprocitet është legjitim, po zbatohet në të gjitha pikat

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se vendimi për reciprocitetin me targa ndaj Serbisë, është i drejtë dhe legjitim, njofton Shqip.com.

Në një konferencë për media së bashku me Kurtin, Sveçla deklaroi se ky vendim është duke u zbatuar në të gjitha pikat kufitare dhe qendrat e regjistrimit të automjeteve.

Po ashtu, Sveçla ka folur edhe për shpërthimin e zjarrit në Zubin Potok, ku tha se ky është një akt kriminal me elemente terroriste, teksa shtoi se dy bomba dore u hodhën në Zveçan.

Ndërtesa e djegur e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve

Ai bëri të ditur se dy rrugët që çojnë në pikë kalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje janë të bllokuara nga një numër i vogël i banorëve që banojnë atje.

“Kemi deshmi të presioneve të ndryshme nga strukturat paralele ilegale e instruksione nga Serbia që t’u bëjnë presion qytetarëve tanë të marin pjesë në protesta. Këto iniciativa janë duke dështuar”, shtoi gjithashtu ministri Sveçla.

Në fund, ai deklaroi se janë duke monitoruar situatën dhe me të gjitha kapacitetet do të garantojnë rend, ligj dhe siguri./Shqip.com