OP-ED Kolumne

17 shkurt!

15 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës
15 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës
Artan Kajtazi
Artan Kajtazi

Publikuar:

Po i bie shumë shkurt, meqë është muaji shkurt!

Shkurti, është muaji i dytë i vitit, që vjen pas janarit! Zakonisht, muaji shkurt është shumë i ftohtë! S’ka vend për fjalë të tepërta, kështu ishte edhe më 17 shkurt të vitit 2008, në orën 15:39! Kohë dhe datë kur u shpall Kosova shtet i pavarur dhe sovran.

Pakëz historik, për një punë të qartë! Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik! Të gjithë se bashku u zotuan më një zë!

Përmes Deklaratës së Pavarësisë, u nderuan të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrificë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën.

Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran“.

17 shkurti është datë e rëndësishme dhe e pandashme e historisë sonë! Datë e cila na kujton e rikujton historinë e lavdishme të brezave tanë mbi themelet e së cilës është ndërtuar e ardhmja e kombit tonë.

Rrugëtimi ishte shumë i gjatë! Ishte shumë i vështirë! Shumë vuajtje, mund, sakrificë kemi pësuar mbi kurriz, për një qellim! Faktografimi i gjithë kësaj nga disa u vlerësua, e nga të tjerët u nënvlerësua! Me “mirësjellje” reciproke, sigurisht! 

Pra, edhe pse ka pasur “thyerje dhe çarje drite”, ishte kurorëzim i një pune mijëravjeçare i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm! Meqë përmban angazhim, unë kam mendimin tim për këtë dhe kjo më mjafton!

Prandaj, edhe do të duhej të bëhej… Dhe për me tepër, është kërkuar me këmbëngulje dhe të pathyeshëm drejt qëllimit. Sigurisht, me armët “modeste” të ushtarëve tanë është përshpejtuar ardhja e lirisë dhe paqes, të cilën e gëzojmë sot!

Po ashtu, do të ishte bizare, që mos të përmenden miqtë tanë aleatë, ku me ndihmën e tyre u ndërtua shteti ynë!

Kosova, me hapësirë të cunguar gjeografike (10 mijë e 906.25 kilometra katrorë) është vend i mundësive, ku të gjithë qytetarët pa dallim feje e race jetojnë dhe i gëzohen çdo të drejte në mënyrë të barabartë, brenda një “gëzofi” etnik. Dhe kjo është një nga të mirat më të mëdha të shtetësisë së Kosovës!

Si ide dhe veprim i së mirës, këmbëngulja sigurisht ka kënaqësinë time! E, në këtë kontekst, e gjithë kjo (në raste të rralla) n’jug dhe n’veri, shkak i “perëndimit të hershem të diellit” mund të mos jetë edhe shumë i kthjelltë faktografimi!

Një mjegull e “plakur” i ka kapluar disa lugina, por së shpejti era do t’i largojë dhe lisat e mëdhenj, do t’i sodisin rrezet e diellit!  

Megjithatë, nuk është vetëm kaq. Ky është një tregim i shkurt, ku sot, më 17 shkurt 2023, qytetarët (n’provinca e n’qytet) hanë puding kumbulle në shtëpitë e tyre, i gëzohen festës dhe “kujdesen” për rrugën e gjatë përparimtare dhe demokratike! Por, pa harruar të shkuarën që na mëson të ecim drejtë së ardhmes më të mirë!

/Shqip.com