Bajrami i reagon Muratit për tatimin: Je injorant, nuk e ke idenë se çka bën ministria juaj

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-ministrja e Tregtisë e Industrisë, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur akuzave të ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Në reagimin e saj në Facebook, Bajrami duke iu drejtuar Muratit si injorant, ajo ka shkruar se “bizneseve as nuk ju ke rritë tatimin e as nuk përfitojnë nga pezullimi i vlerësimit”.
“Hekuran Murati i cili thotë se i ka shpërndarë 800 milionë euro ndihma qytetarëve dhe bizneseve, që dy vite, e i cili nuk e ka guximin ta publikoj asnjë listë të top 50-përfituesëve, të “200 masave të tij”, sot paska renditur një mal me të pavërteta për konferencën e LDK-së”, ka shkruar Bajrami.
“Ministër, mos thuaj të pavërteta! Bizneseve as nuk ju ke rritë tatimin e as nuk përfitojnë nga pezullimi i vlerësimit. Ministër, që dy vite as edhe një vendim të vetëm nuk e ke marrë për avancim dhe përmirësim të politikave fiskale, thjeshtë po bën punën e një kontibilisti, po të pëlqen të kesh bilanc pozitiv, po i varfëron qytetarët përmes tatimeve dhe mandej po bën sikur po i shpërblen ata me nga 50 e 100 Euro”, ka vazhduar deputetja Bajrami.
Sipas saj, asnjë shtet nuk është zhvilluar me politikën e lëmoshës dhe se ka shumë të pavërteta në fjalët e ministrit Murati.
“Për konferencën e LDK-së dhe propozimet tona paske thënë shumë të pavërteta. Krejt gabimisht propozimet tona i ke lidhë me përfitime të bizneseve. Ministër, je gabim dhe me vjen keq që je kaq injorant, e as idenë me të vogël nuk ke se çka bën ministria juaj. Këtu po t’i publikoj dëshmitë që Departamenti i Tatimit në Pronë, MFPT, në vlerësimin e fundit nuk i ka prekë fare bizneset, sepse ka qenë vlerësim për pronat rezidenciale. Bizneseve as nuk u është rritë tatimi e as nuk do të përfitojnë nga pezullimi i vlerësimit”, ka shkruar Bajrami.
/Shqip.com