Hoti: Kurti pagoi pa procedurë prokurimi 58 mijë franga për një minikonferencë në Davos

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merrë pjesë në Forumin Botëror Ekonomik që po mbahet në Davos.
Mirëpo pjesëmarrjen e tij e ka kundërshtuar ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Ai ka thënë se Kurti për këtë forum pagoi 58 mijë franga pa një procedurë prokurorimi.
“Shkon në Davos dhe e organizon një minikonferencë për investime, për të cilën e paguan një kompani konsulente 58,341.19 franga zvicerane pa asnjë procedurë prokurimi. Por, në dhomën tjetër, kërkon nja 70 trupa më shumë të KFOR-it nga Finlanda, edhe pse KFOR-i e rrit dhe e zvogëlon numrin e ushtarëve brenda natës sipas nevojës që ka.Çfarë mesazhe janë këto dhe çfarë promovimi i investimeve është ky?!”, ka thënë Hoti.
Kush po e këshillon kështu?!Kah na shpie kjo qasje në fushën e politikës dhe të ekonomisë?!, ka shtuar më tutje Hoti.
Kurti është pyetur edhe për kërkesën që ka bërë për të rritur numrin e forcave të KFOR-it në Kosovë.
Ai ka thënë se ka treguar interesimin e tij për këtë, por varet nga NATO.
“Unë kam sinjalizuar interesin tim për të rritur trupat e NATO-s, por sigurisht që i takon NATO-s të vendosë. Unë mendoj se fakti që ne kemi një fqinj më të madh që nuk na njeh dhe po bashkëpunon gjithnjë e më tepër me Kremlinin duhet ta inkurajojë NATO-n që ta rrisë prezencën e saj. Kjo zvogëlon gjasat e konfliktit”, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për tensionet në veri të Kosovës gjatë fundvitit të kaluar, e po ashtu tërheqjen e serbëve në veri nga institucionet e Kosovës.
/Shqip.com