Lajme

Kurti: Një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe njëherë për marrëveshjen finale me Serbinë.

Ai ka thënë se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti.

“Unë jam optimist se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti për të arritur një marrëveshje – dhe mbështetja e Perëndimit demokratik, pra BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Unë kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por për një marrëveshje duhen dy palë. Për të pasur paqe afatgjatë, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet dy herë: nga e kaluara e Millosheviqit dhe tani nga Putini. Sepse Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë. Putin dëshiron të nxisë konfliktin me Kosovën”, ka thënë Kurti.

Më tutje Kurti ka thënë se Zvicra luan një rol të rëndësishëm qoftë në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë apo në lidhje me një marrëveshje paqeje.

Kurti thotë se Putinin e pengon shumë suksesi i Kosovës, kështu që ai po bën përpjekje ta destabilizojë atë.

“Putini dëshiron të nxisë konflikt në Kosovë. Unë jam i kujdesshëm, por kurrë nuk kam frikë. Jam vigjilent. Putini është i fiksuar pas vendit tonë. Ai është i lumtur me mungesën e suksesit të intervenimeve perëndimore në Irak dhe Afganistan. Atë e zemëron që në Kosovë pati sukses intervenimi”, ka thënë Kurti.

Kurti gjendet në Davos të Zvicrës për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.

Ai është pyetur edhe për kërkesën që ka bërë për të rritur numrin e forcave të KFOR-it në Kosovë.

Kurti thotë se ka treguar interesimin e tij për këtë, por varet nga NATO.

“Unë kam sinjalizuar interesin tim për të rritur trupat e NATO-s, por sigurisht që i takon NATO-s të vendosë. Unë mendoj se fakti që ne kemi një fqinj më të madh që nuk na njeh dhe po bashkëpunon gjithnjë e më tepër me Kremlinin duhet ta inkurajojë NATO-n që ta rrisë prezencën e saj. Kjo zvogëlon gjasat e konfliktit”, tha Kurti.

Ai ka folur edhe për tensionet në veri të Kosovës gjatë fundvitit të kaluar, e po ashtu tërheqjen e serbëve në veri nga institucionet e Kosovës, raporton Blick.

/Shqip.com